Dora d’Istria, një dijetare liberale dhe grua e emancipuar

dora d'istria

Dora d’Istria, njohet gjithashtu me emrin Elena Gjika ose Ghica. Pas martesës me një princ rus ajo bëhet Dukesha Helena Koltsova-Massalskaïa. Me origjinë të largët shqiptare, por e lindur në Rumani, ajo është një shkrimtare dhe feministe shumë e njohur për kohën e saj. Dora D’Istria është emri i saj i artit.

Dora d’Istria, një nga gratë më të ditura

E lindur me emrin Elena Gjika në Bukuresht në vitin 1828, Dora d’Istria u rrit në një familje princërore sepse i jati i saj është vëllai i princit të Vllahisë: Grigore IV Gjika. Ajo merr arsimin më të mirë, dhe gjithashtu udhëton në vende të ndryshme për të përsosur njohuritë e saj. Së bashku me familjen e saj ajo në fillim jeton në Dresden, më pas në Vienë, Venecia dhe së fundmi në Berlin.

Në vitin 1855 veprat e saj bëhen të njohura. Poliglote, ajo shkruan kryesisht në gjuhën frënge nën emrin Dora d’Istria. Veprat e saj të shumta shprehin zotërimin e përsosur të gjuhës rumune, italiane, gjermane, por edhe ta gjihëve antike si latinishtja dhe greqishtja. Dora D’Istria është një grua shumë e ditur. Ajo gjithashtu bëhet e njohur përmes ideve të saj liberale në lidhje me çështje fetare dhe politike. Një faktor tjetër i vlerësimit për D’Istrian është talenti i saj për ti mbrojtur me argumenta idetë e saj.

Dora D’Istria ndahet nga jeta në 17 nëntor 1888 në qytetin e Firences, qyteti ku ajo vendosi të jetojë.

Dora d’Istria: vepra e saj mbresëlënëse

Vepra e saj e parë, La vie monastique dans l’Église orientale (1855) bën thirrje për heqjen e urdhrave të murgjëve.

Më pas, në veprën Les femmes en Orient (1859), ajo shpreh bindjet e saj në lidhje me emancipimin e grave. Feminizmi i saj vazhdon të shprehet edhe në veprën Des femmes, par une femme (1869). Ajo krahason situatën e grave në Europën latine me atë të grave në Gjermani. Nëpërmjet kësaj vepre ajo kërkon me bindje barazinë mes grave dhe burrave.

Libri i saj Gli Albanesi in Rumenia paraprihet nga shumë artikuj mbi shtetet e Europës së Juglindjes dhe luftën e tyre për pavarësi. Ajo flet gjithashtu edhe për origjinën shqiptare të familjes së saj, Gjikat. Në vitin 1866, Dora D’Istria publikon një artikull me titullin Kombësia shqiptare sipas këngëve folklorike. Ky artikull u përkthye në shqip në vitin 1867 nga patrioti italo-shqiptar Dhimitër Kamarda. Në parathënien e botimit shqip është një poezi revolucionare shqiptare që i fton shqiptarët të ngrihen kundër oushtuesit Otoman.