Marguerite Boucicaut, pronare dhe grua e popullit

marguerite boucicaut

Asgjë nuk parashikonte që Marguerite Boucicaut do të bëhej një prej pronareve më të famshme të kohës së saj. Ajo ishte gjithashtu dhe një nga pioneret e politikave sociale nëpër ndërmarrje. Bashkëkohase e Lui Pastër, ajo është ende një ndër figurat emblematike në botën e sipërmarrjes sidomos në lidhje me angazhimin e saj social dhe humanitar.

Para se të bëhej Marguerite Boucicaut, ajo quhej Marguerite Guérin. E lindur në 1816, një provinciale e pashkolluar nga një prejardhje modeste, ajo vjen në Paris ku punon si pastruese. Në Paris ajo mëson të shkruajë dhe lexojë, dhe i jep shumë rëndësi pavarësisë së saj.

Por rrjedha e jetës së saj ndryshon kur ajo takon Aristide Boucicaut, i cili me mbështetjen e saj hap qendrën e parë tregtare në Paris, Le Bon Marché. E drejtuar nga çifti Boucicaut, kjo sipërmarrje ecën shumë mirë, dhe është në këtë kohë që çifti Boucicaut nis të shfaqë preokupimet e para në lidhje me politikat sociale në ndërmarrje, ditën e dielë si ditë pushimi, ndërtimin e mensës brenda ndërmarrjes, pushimet e paguara, etj …

marguerite boucicaut

Marguerite Boucicaut, pronare e përkushtuar për të drejtat e punëtorëve

Marguerite Boucicaut, e cila mbështet bashkëshortin e saj në këtë projekt sipërmarrës, shumë shpejt do ta drejtojë atë e vetme: Aristide vdes në vitin 1877. Marguerite tregon aftësitë e saj drejtuese por edhe humanizmin e saj të pamatë. Në fakt, preokupimet e saj kanë të bëjnë së pari me punonjësit e saj.  

Një ndër aktet më të jashtëzakonshme të saj: ndarja e shoqërisë në aksione të shpërndara tek të gjithë punonjësit e ndërmarrjes. Por angazhimi i saj shkon përtej kufinjve të Bon Marché. Ajo krijon gjithashtu një fond pensionesh, financon ndërtimin e materniteteve, shkollave, kopshteve. Ajo dëshmon gjithashtu një vëmendje të veçantë ndaj situatës së gruas në atë kohë.

Marguerite Boucicaut, e vetme dhe pa pasardhës, tregon se punonjësit ishin familja e saj. Në moshën 71 vjecare ajo ndahet nga jeta prej një ataku kardiak. Në varrimin e saj marrin pjesë mijëra njerëz duke nderuar kështu atë e cila diti se si të kujdeset për familjen e saj të madhe të Bon Marché.